Numrat e regjistrimit do të diktojnë strukturën e gjykatave
Autore: Hristina Bellovska

Gjykatën në Berovë e udhëheq gjykatësi Ilija Stojanov të cilit i përfundon së shpejti mandati dhe duhet të kthehet në Gjykatën e Strumicës, prej nga është deleguar vitin e kaluar. Ai gjykon në fushën e veprave penale, kurse këtë vit ka marrë “përforcim” edhe me një kolege nga fusha qytetare, e cila menjëherë pas përfundimit të Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë është dërguar në qytetin e vogël në fushën lindore të shtetit.
Nëse për shembull, ka rast për përsëritje të procedurës apo fshirjes së evidencës ndëshkimore, nevojitet që për këtë të vendosë këshill prej tre gjykatës. Në një situatë të tillë, dërgohet kërkesë në Gjykatën e Apelit që të dërgojë “ad hok” gjykatës që të mund të vendoset më shpejt. Kështu, gjykatës nga qytete të ndryshme mblidhen dhe vendosin për kërkesa nga një qytet tjetër.
Berova sipas regjistrimit të popullatës nga viti 2002 numëron 7.002 banorë. Me valën e shpërnguljes masive dhe të migrimit, parashtrohet pyetja se sa është zvogëluar numri i banorëve në dy dekadat e kaluara, kurse kështu edhe sa është numri real i gjykatësve nevojiten në këtë komunë.
Por, situata nuk është alarmante vetëm në Berovë. A do të dëshirojë të ndajë dikush drejtësinë në gjykatat në Krushevë, Vinicë, Dellçevë, është pyetja që parashtrohet në Këshillin Gjyqësor para çdo mandati të ri apo pensionimi të ndonjë gjykatësi lokal. Deri më tani kanë dështuar disa shpallje asnjë nga akademikët e rinj, nuk dëshiron të punojë në këto vende të vogla.
Këshilli Gjyqësor në Raportin për vitin 2020, konstatoi se në gjashtë gjykata në Maqedoni ka punë e cila nuk mund të përfundohet në kohë nga numri ekzistues i gjykatësve. Trembëdhjetë gjykatës, vitin e kaluar janë transferuar që të gjykojnë nga një qytet në tjetrin. Për shembull, nga tre gjykatës nga rajonet e apelit Manastir dhe Gostivar, janë dërguar një vit të punojnë në gjykatën e apelit, kurse nga një gjykatës nga qytetet më të afërta, kanë vajtur në Berovë, Vinicë, Krushevë, Dellçevë dhe Negotinë.
“Këshilli vendimet për dërgimin e përkohshëm të gjykatësve i ka marrë në përputhje me nenin 39 të Ligjit për Gjykatat, në rastet kur është konstatuar gjendje e zmadhimit të theksuar të punës në këto gjykata, përditshmëria e zvogëluar dhe kur është vënë në pikëpyetje puna aktuale e gjykatave”, thuhet në raportin e Këshillit të Gjykatës për vitin e kaluar.
Vendet e gjykatësve jo vetëm në këto gjykata, por kudo që zbrazen, për shkak të pensionimit të gjykatësve dhe të shkarkimeve, kurse një pjesë e gjykatësve, përsëri, përparojnë në shkallë më të lartë. Megjithatë, në vendet më të vogla problemi me numrin e gjykatësve është më i theksuar sesa në qytetet më të mëdha, konsideron kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.
“Problemet më të mëdha në raport me shpërndarjen e gjykatësve dhe të punësuarve në gjykata lidhet me shpërndarjen e tyre jo të njëtrajtshme për banor. Dallimi theksohet sidomos në raportin midis gjykatave në kryeqytet dhe në gjykatat e tjera. Gjendja e tillë reflektohet edhe mbi shpejtësinë dhe cilësinë e drejtësisë”, thekson Saiti.
Nga njëra anë bashkësia ndërkombëtare konsideron se sipas numrit të gjykatësve jemi diçka mbi mesataren evropiane, por nga ana tjetër, në disa ndërtesa të gjykatave në shtet nuk dëgjohet asgjë tjetër përveç se qetësia. Sipas raportit për vitin 2016, të Komisionit Evropian për Efikasitet të Drejtësisë (CEPEJ), Maqedonia e Veriut me 24,37 gjykatës për 100 mijë banorë ka një numër më të madh gjykatësish për banor sesa mesatarja e CEPEJ që është 21,5. Por, statistika e Këshillit Gjyqësor dëshmon se nga viti 2016 deri më tani, numri i gjykatësve aktivë është zvogëluar dhe se në 2021 kemi rreth 60 gjykatës më pak.
Numri i popullsisë ndryshon. Diku zvogëlohet, kurse diku zmadhohet. Regjistrimi që është në vijim, pas dy dekadash, më në fund do të japë një shifër të saktë të popullsisë në të gjitha rajonet dhe komunat, kurse kjo nga ana tjetër, do të sigurojë një pamje të qartë se sa gjykatës dhe gjykata nevojiten sipas numrit të banorëve në qytetet dhe rajonet në vend.
Regjistrimi është me rëndësi thelbësore për rishqyrtim të rrjetit të gjyqësor
Rrjeti gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar më 31 mars 1945. Atëherë ka pasur 26 gjykata të shkallës së parë (gjykata rajonale), 3 gjykata të shkallës së dytë (gjykata të qarkut dhe gjykatën e lartë me seli në Shkup. Me disa ndryshime nëpër vite, në vitin 1995 me Ligjin për gjykatat është vendosur sistemi i vetëm gjyqësor, ku hyjnë 27 gjykata themelore (të shkallës së parë), 3 gjykata apeli në Shkup, Manastir, Shtip (më vonë edhe në Gostivar) si dhe gjykata e supreme për lëndë në nivel të të gjithë shtetit. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës së RMV-së, i cili përdor të dhënat e regjistrimit në vitin 2002, sot ka 34 gjykata gjithsej të cilat u shërbejnë 2 milionë qytetarëve.
Nuk ekziston një mënyrë e vetme për matjen e cilësisë së shërbimeve në sistemet juridike. Ekzistojnë shumë kritere dhe faktorë që kontribuojnë për një cilësi më të mirë. Në suazat e Bashkimit Evropian, drejtësia vlerëson se në bazë të hulumtimit të qasjes te drejtësia për qytetarët dhe firmat, resurseve përkatëse materiale dhe njerëzore, vendosjes së mjeteve për vlerësim dhe përdorim të standardeve për cilësi.
Strategjia për resurse njerëzore në rrjetin gjyqësor (2021-2026), e cila është përgatitur me mbështetje nga Komisioni Evropian (KE) e merr parasysh qasjen te drejtësia nga aspekti i shpërndarjes territoriale të gjykatave dhe të varësisë së tyre nga lokacioni.
“Megjithatë, nëpër vite kanë ndodhur ndryshime caktuara, përkatësisht janë vendosur dhe shfuqizuar gjykata, por asnjë nga ndryshimet e deritanishme nuk e marrin parasysh migrimin e brendshëm të popullatës (kjo mund të shpjegohet me numrin shumë të vogël të gjykatave për 100 banorë në Shkup), shkruhet në strategjinë për rrjetin gjyqësor.
Sa qytetarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut është pyetja kryesore për të cilën duhet të marrim përgjigje me regjistrimin e sivjetshëm. Ky është fitimi më i madh nga operacioni statistikor sipas 39% të të anketuarve të cilët ishin përfshirë në hulumtimin qeveritar të mendimit publik, në mars të këtij viti. Më pak se një e treta (30%) e të anketuarve nuk dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen se cilat janë fitimet kryesore nga zbatimi i regjistrimit, kurse 17% e qytetarëve konsiderojnë se nuk ka fitime nga zbatimi i regjistrimit.
Përfaqësuesit e institucioneve gjyqësore që i kemi takuar e kanë të njëjtin mendim me 39% të të anketuarve, por me fokus të veçantë në gjyqësor. Regjistrimi nuk është i rëndësishëm vetëm për shtetin, por është me rëndësi kruciale mbi strategjinë për rishqyrtim të rrjetit gjyqësor për periudhën 2021-2026, konsideron kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska.
“Është e domosdoshme që pas marrjes së rezultateve nga regjistrimi do të merret parasysh numri i popullatës, si dhe migrimi i brendshëm në territorin të cilin e mbulon gjykata. Kështu, vendosja e strukturës së gjykatave duhet të jetë në përputhje me numrin e popullatës. Duke pasur parasysh se regjistrimi i fundit është ai i vitit 2002, këto informacione janë shumë të rëndësishme, mbi numrin e ulëseve në gjykatat themelore, si dhe të gjykatave të apelit të cilat e mbulojnë territorin, që të mund të afrohemi me mesataren e Komisionit Evropian (KE), konsideron Cërvenkovska.
“Edhe pse sistematizimi parashikon se nevojiten 636 gjykatës, që të funksionojë sistemi pa pengesa dhe lëndë të mbledhura, gjyqësori tani numëron 503 gjykatës. Mesatarja e KE-së për efikasitetin e drejtësisë të vitit 2018 është 1.22 për 100 mijë banorë për gjykatat e shkallës së parë, kurse për të gjitha instancat e tjera është në spektër nga 1.9 dhe 1.8 në varësi nga lloji i gjykatës. Te ne analizat e fundit janë bërë për vitin 2019. Më e theksuar është mungesa te Gjykata Penale në Shkup, e cila për territori të popullatës ka indikator 0.1”, thotë Cërvenkovska.
Të dhënat e sakta për popullatën do të jenë udhëheqëse për strategjinë e ardhshme, se si të mbushen vendet e gjykatësve, por edhe vendet në administratën gjyqësore. Qëllimi përfundimtar është të afrohemi me standardin evropian, thotë Saiti.
Ai thotë: “Në të gjitha shtetet numri i gjykatave përcaktohet nga numri i banorëve. Kështu, përvojat evropiane flasin mbi standarde të cilat janë të rëndësishme për organizmin e rrjetit gjyqësor, siç janë shpërndarja gjeografike e vendeve të populluara, infrastruktura, zhvillimi ekonomik, numri i banorëve dhe parametrat e tjerë. Këto fakte përcaktohen midis të tjerash edhe nëpërmjet regjistrimit.”
Mbijetesa e disa gjykatave gjendet para “provimit të regjistrimit”
Shpërndarja jo e njëtrajtshme e kuadrove ka edhe tek administrata profesionale gjyqësore. Diku mungojnë, a diku ka tepricë të punësuarish. Me këtë strategji është përfshirë edhe kjo kategori. Për dallim nga mesatarja evropiane që është 68.7 për 100 mijë banorë, te ne numri i të punësuarve 109 për 100 mijë banorë, thonë nga Këshilli Gjyqësor. Vetëm pesë vende në Evropë (Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Monako dhe Andorra) kanë më shumë personel gjyqësor për banor.
Një aspekt tjetër që duhet të merret parasysh gjatë shpërndarjes së të punësuarve në gjykata është madhësia e lëndëve në gjykatë. Informacionet e Këshillit Gjyqësor dëshmojmë se siç zvogëlohet numri i gjykatësve në vend ashtu rritet edhe numri i lëndëve në gjykata.
“Numri i lëndëve të pazgjidhura nuk zmadhohet, por stagnon. Gjykatësit arrijnë t’i zotërojnë lëndët e zmadhuara. Duhet të lavdërohen gjykatësit. Sipas numrit të lëndëve janë në nivelin më të lartë në suazat evropiane”, thotë Cërvenkovska.
Shpërndarja aktuale e popullatës sipas vlerësimeve të Entit Shtetëror të Statistikës nga regjistrimi i fundit në vitin 2002, nuk e arsyeton ekzistimin e gjykatës themelore në qytetet të cilat kanë më pak se 20.00 banorë, siç janë: Krusheva, Resnja, Vinica, Berova dhe Kratova, u konstatua në Strategjinë për rrjetin gjyqësor. Me këtë parashtrohet pyetja si do të jetë e ardhmja e gjykatave me kompetencë themelore, përkatësisht të gjykatave në qytetet e vogla dhe ka mundësi të ketë ndryshime thelbësore në gjyqësor pas përcaktimit të strukturës demografike?
Todor Pop Anev, ish-kryetari i gjykatës komunale në Sveti Nikole, konsideron se përgjigjen për këto pyetje do ta japë regjistrimi, i cili mund të kontribuojë shumë në rishqyrtimin e rrjetit gjyqësor: “Duke pasur parasysh se një nga kriteret për themelimin e gjykatave themelore në një rajon të caktuar është numri i popullatës në atë rajon, konsideroj se me përcaktimin e saktë të numrit të popullatës do të mund të kontrollohet përshtatshmëria e ekzistencës së disa gjykatave themelore me kompetencë themelore, përkatësisht, ata mund të bashkohen me gjykata të caktuara me kompetencë të zgjeruar”. Sipas Pop Anev, numri i saktë i popullatës, mund të kontribuojë, gjithashtu, gjatë përcaktimit të numrit të gjykatave, duke pasur parasysh se sipas numrit të popullatës mund të parashikohet sa është numri i lëndëve gjyqësore.
Të dhënat mbi nivelet e gjykatave themelore dhe të apelit dëshmon dallime të mëdha në rrjetin gjyqësor. Disa nga gjykatat më të vogla posedojnë më shumë resurse sesa gjykatat më të mëdha të cilat kanë numër më të madh lëndësh. Këtu është shpërndarja jo e njëtrajtshme e cila është pasojë e të dhënave të pasakta mbi popullatën.
Për shembull, sipas të dhënave nga viti 2019, në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka 8.90 gjykatës për 100 mijë banorë, kurse në Kratovë ka 32,63 gjykatës për 100 mijë banorë.
Është gjithnjë dhe më e qartë se të dhënat e këtij regjistrimi do të përdoren për organizim dhe modernizim të rrjetit gjyqësor, kurse kështu do të vijnë edhe ndryshimet e reja. Informacionet e operacionit statistikor është një nga kriteret që çon drejt projektimit të saktë të rrjetit gjyqësor. A do të bashkohet ndonjë nga gjykatat më të vogla me kompetencë të përgjithshme me gjykatat me kompetencë më të gjerë është çështje që duhet të presë rinumërimin dhe analizat funksionale për çdo gjykatë në shtet.
Artikulli është përgatitur me mbështetje nga Fondacioni shoqëria e hapur Maqedonia (FSHHM). Përmbajtja është përgjegjësi e NVO Infocentar dhe ajo nuk i shpreh gjithmonë qëndrimet e FSHHM.




