Nëpërmjet regjistrimit te zhvillimi i njëtrajtshëm i rajoneve dhe i komunave
Autore: Violeta Kozhinkova

Pyll, ujë, rrugë të asfaltuara. Në pjesën më të madhe të fshatrave maqedonase në lindje të shtetit ka gjithçka, por njerëz ka gjithnjë dhe më pak. Në fshatin e Vinicës, Bllatev dritaret dhe portat e mbyllura të shtëpive të mëdha dhe të bukura vërtetojnë se jeta në fshat dalëngadalë po boshatiset. Për shkak të pandemisë pjesa më e madhe e shtëpive mbetën të mbyllura, sepse pronarët e tyre nuk mund të kthehen.
Në rrethin e Shtipit, shumë fshatra janë vetëm toponime të zakonshme pa jetë në to. Drynat dhe shkollat, shtëpitë gjysmë të zbrazura, si edhe lisharësit e ndryshkur, janë dëshmitarë memeces se këtu dikur kanë jetuar njerëz.
Jeta ka kaluar ose po kalon nga shumë fshatra dhe vende pjesën lindore të vendit, Dëshmi ka, por nuk ka të dhëna zyrtare sa njerëz kanë mbetur dhe sa kanë ikur. Prandaj, rajoni, i cili ka rritjen negative më të madhe dhe nga i cili, sipas statistikave jozyrtare, janë shpërngulur një e treta e qytetarëve që janë shpërngulur nga shteti, e pret regjistrimin.
Fshatrat po shkretohen, qytetet po zbrazen
Gjendja në rajonin lindor është shqetësuese. Shumë shkollave të fshatit prej kohësh u është vënë kyç në derë. Po zbrazen edhe shkollat në qytete. Vetëm këtë vit, në rajonin lindor janë regjistruar 700 fëmijë në klasën e parë më pak se numri i planifikuar.
Shkolla në fshatin Bllatec, Vinicë, dikur ka pasur 400 nxënës, tani në të shkollohen vetëm gjashtëdhjetë fëmijë. Banorët bëjnë shaka se qyteti italian Kaneli ka më shumë nxënës në klasën e parë nga Bllateci sesa vetë Bllateci.
“Gjysma e fshatit u largua, gjysma tjetër po mendon si t’i përgatitë valixhet. Korona e ndaloi pak këtë proces, po me t’u hapur kufijtë të gjithë që kanë mundësi do të largohen”, thotë një banor i Bllatecit.
“Më përpara këtu kishte katër dyqane, kishte jetë në fshat, kurse tani gjithçka është e shkretë, nuk ka jetë” rrëfen një banor nga fshati Zhiganci. “Njëri fëmijë është me mua tjetri u shpërngul, nuk ka punë nuk ka ekzistencë”, ankohet një banor nga fshati Krupishte.
Nuk ka të dhëna zyrtare për qytetarët e shpërngulur
Hulumtimi i zbatuar para pak kohe nga organizata qytetare “Ini” nga Vinica dëshmon se në dy dekadat e fundit, 20% e banorëve nga Vinica, janë shpërngulur përgjithmonë jashtë shtetit. Gjendja është e ngjashme edhe në qytetet e tjera në rajonin lindor.
“Meqenëse nuk ka të dhëna relevante, kemi bërë një krahasim nëpër vite, të numrit të të siguruarve në Fondin e Shëndetësisë dhe e krahasuam me të dhënat e tjera statistikore. Kështu morëm numra të tmerrshëm mbi zvogëlimin e numrit të banorëve në këtë rajon”, thotë Toni Conevski nga kjo organizatë qytetare.
Sipas “Studimit me analizën sektoriale të zhvillimit demografik” të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, botuar në tetor 2020, rajoni lindor, në vetëm nëntë vjet, nga 2010 deri në 2019, ka humbur deri në 5,429 banorë. Më qartë, rajoni mbeti pa një komunë siç është Zërnovci. Por, të dhënat nuk japin një panoramë të qartë të imigrimit dhe emigrimit në rajonin e Bregallnicës, sepse mbulon vetëm ata qytetarë që e kanë regjistruar ligjërisht vendbanimin e tyre në një vend tjetër dhe janë larguar nga vendi amë. Në këtë studim, i cili është një nga hulumtimet e pakta serioze shtetërore mbi këtë temë, janë përdorur të dhëna zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave, i cili bën vlerësim të popullsisë, sepse të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2002 janë të vjetruara prej kohësh dhe nuk pasqyrojnë situatën reale.
Për një klimë të mirë në biznes nevojiten të dhëna relevante mbi popullatën.
Shtipi është një nga qytetet, ku para pandemisë fillonin biznese të reja dhe hapeshin vende të reja pune. Zonat lokale industriale janë plot. Kërkohen lokacione të reja dhe shitje e parcelave të mëdha. Ajo që u mungon kompanive janë të dhënat dhe informacionet mbi planifikimin e zhvillimi dhe krijimin e strategjive efikase dhe efektive për shitje të prodhimeve.
Që të mund të planifikojmë zhvillimin, na nevojitet regjistrimi i popullsisë, thonë kompanitë. Ata si subjekte ekonomike individuale nuk varen drejtpërdrejt nga regjistrimi, por krijimi i klimës dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik në rajon dhe në shtet në tërësi, varen nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë.
“Nuk mund të planifikoni politikë në nivel makro, nëse nuk keni të dhëna sa popullatë keni. Si të zvogëlohet varfëria? Sa prej qytetarëve janë përfshirë në ekonominë e zezë? Këto janë pyetje të rëndësishme. Ne si shtet duhet të kemi numra realë, kurse jo ta citojmë Bankën Botërore mbi numrin e të shpërngulurve, sepse nuk kemi të dhëna relevante”, thotë Angel Dimitrov, nga Organizata e punëdhënësve.
Për Ilija Nikollov, pronar i “Aktiva” nga Shtipi, kompani e cila bashkëpunon me “Van Holl” regjistrimi vetëm se do të vërtetojë të vërtetën e hidhur para të cilës deri tani i kemi mbyllur sytë.
“Nuk ka njerëz për punë, mungon gjithnjë edhe më shumë fuqi punëtore. Në shtet ka gjithnjë e më pak popullatë të re dhe të arsimuar. Jo vetëm se sillen punëtorë nga komunat më të vogla në komunat më të mëdha, gjithnjë e më shumë fuqi punëtore importohet nga jashtë shtetit. Njerëz vijnë nga Shqipëria dhe Turqia, dhe punojnë në disa projekte”, thekson Nikollov.
Lindja në top-listën e investimeve të gabuara shtetërore
Nga lista e gjatë e projekteve dhe investimeve të gabuara shtetërore, disa lidhen me pjesën lindore të vendit. Nëse i lëmë mënjanë ato siç është hekurudha me Bullgarinë, që nuk u realizua për shkak të mungesës së vizionit dhe vendosmërisë së shtetit, mbeten disa projekte për të cilat, për shkak të populizmit dhe planifikimit jopërkatës, janë harxhuar kot paratë e qytetarëve.
Me paratë nga shitja e Telekomit u tamponua dhe u hap rruga drejt kalimit të mundshëm kufitar “Cërna Skalla” pranë Dellçevës. Kjo ka kushtuar përafërsisht dy milionë denarë. Por, hapja e këtij kalimi edha pas kaq vitesh, është ende utopi. Nga ana infrastrukturore u rregulluan edhe dy zona shtetërore teknologjike-zhvillimore në Dellçevë dhe në Berovë. Por lokacionet janë ende vetëm livadhe bosh. Në vend të punëtorëve, këtu do të hasni vetëm kafshë dhe njerëz që merren me rekreacion. Nga Komuna Dellçevë, thonë se ka interes për ndërtim të zonave industriale lokale, por se zona shtetërore industriale deri më tani, saç kanë informacione ata, askush nuk ka treguar interes.
Regjistrimi është i rëndësishëm për përcaktimin e prioriteteve të komunës
Maqedonia e Veriut ka tetë rajone planore. Secili prej tyre ka specifikat dhe nevojat e veta për zhvillim. Nga Qendra për Zhvillim të Rajonit Lindor thënë se janë të domosdoshme të dhëna të reja për krijimin e strategjive dhe se gjendja e tillë nuk u konvenon.
“Shfrytëzojmë të dhëna për popullatën të vitit 2002, kurse në bazë të krahasimit me bazat e tjera të të dhënave nga institucionet shtetërore arrijmë te njohuri tronditëse për çpopullimin e Rajonit Lindor. Por, kjo megjithatë, nuk është e dhënë zyrtare në bazë të të cilës mund të krijojmë aktivitetet tona. Edhe pse kjo nuk reflektohet në planifikimin e projekteve infrastrukturore, sepse rrugë dhe ujësjellës duhet të ketë kudo, megjithatë është e rëndësishme për shërbimet. Nëse, për shembull, diku ka popullatë më të vjetër do të orientohemi ndaj shërbimeve sociale, nëse është më e re drejt arsimit”, thotë Zuica Angellova, Qendra për Zhvillim të Rajonit Lindor Planor.
Angellova shton se ata përdorin të dhënat nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2002 në programin e punës, edhe pse një nga pikat kryesore është inkurajimi i vendeve të reja të punës, si dhe hulumtimi i potencialit të rajonit për investime dhe shfrytëzim të objekteve dhe burimeve të tjera të komunës.
Shumica e kryetarëve të komunave besojnë se metodologjia e përdorur për të përcaktuar nivelin e zhvillimit të rajoneve nuk është reale dhe theksojnë se kjo pamje e shtrembëruar do të korrigjohet nga regjistrimi, domethënë nga të dhënat e tij relevante dhe të sakta.
“Regjistrimi është i rëndësishëm për të gjitha rajonet. Do të marrim informacione reale dhe të rëndësishme për planifikimin e drejtë të burimeve dhe buxheteve komunale. Tani nuk i kemi ato numra dhe i bëjmë strategjitë tona në bazë të parashikimeve. Sigurisht, kur të jenë në dispozicion të dhënat e regjistrimit, komunat do të duhet të rishqyrtojë strategjitë dhe buxhetet e reja që të kenë zhvillim të barabartë”, thotë Nikollço Ilijev, kryetari i Komunës së Koçanit.
Edhe pse në dukje është vetëm një operacion statistikor, regjistrimi është shumë më tepër se kaq. Krijimi i strategjive shtetërore dhe lokale varet nga të dhënat e regjistrimit. Pa to, komunat nuk mund të krijojnë realisht dhe me sukses zhvillimin e tyre dhe të përcaktojnë në afat të gjatë prioritetet.
A duhet ndërtuar një rrugë apo kanalizim në një vendbanim, apo duhet t’i jepet përparësi diçka tjetër? Si është struktura e popullsisë në komuna dhe rajone? Çfarë është e nevojshme, prioritare, e rëndësishme për komunën dhe qytetarët – kopsht, shkollë, qendër shëndetësore, shtëpi e pleqve, apo diçka tjetër? Këto janë vetëm disa nga pyetjet të cilave duhet t’u përgjigjet regjistrimi.
Zbatimi i tij është i nevojshëm sepse, gjatë përgatitjes dhe miratimit të projekteve të infrastrukturës dhe zhvillimit, fondet ndërkombëtare, institucionet dhe bizneset në përgjithësi, kanë nevojë për informacion dhe të dhëna relevante mbi popullsinë, fuqinë e punës, migracionin, etj. Vetëm në bazë të kësaj mund të vlerësohet justifikimi dhe qëndrueshmëria e tyre.
Të dhënat që i kemi në dispozicion janë dy dekada të vjetra. Enti Shtetëror i Statistikës bën vlerësime dhe analiza të ndryshme, por megjithatë të dhënat më të besueshme janë ato të marra nga regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare. Si rrjedhim, përfundimi është pa mëdyshje se për zhvillimin e fshatrave, qyteteve, komunave dhe rajoneve, zbatimi i regjistrimit është me rëndësi thelbësore.
Artikulli është përgatitur me mbështetje nga Fondacioni shoqëria e hapur Maqedonia (FSHHM). Përmbajtja është përgjegjësi e NVO Infocentar dhe ajo nuk i shpreh gjithmonë qëndrimet e FSHHM.




